Prishtina dhe Kosova pritet të jenë në qendër të vëmendjes së mediave botërore të kulturës dhe artit, pasi sonte edhe zyrtarisht në kryeqytet është hapur Bienalja Manifesta 14.
Vlerësime të lara pati presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Ajo tha se është kënaqësi e veçantë të jetë me komunitetin artistik të Republikës së Kosovës dhe atë të 30 shteteve pjesëmarrëse në Manifestën e sivjetme të njohur gjerësisht si Bienalja Nomadike Evropiane.
“Imazhi i sotëm i Prishtinës është imazhi që i shkon më së shumti Prishtinës. Prishtina është në më të mirën e saj kur pret njerëz nga e gjithë bota, pikërisht atëherë kemi mundësinë e artë për të shfaqur më së miri shpirtin rinor të kryeqytetit tonë, si dhe hapjen e tij ndaj kulturave dhe kombeve të ndryshme nga e gjithë bota. Për gjithsej 100 ditë të Manifestës perëndesha jonë në fron do të shkëlqejë më shumë dhe do të kthehet në një pikë referimi kulturore ndërkombëtare“, ka thënë ajo.
“Në këto 100 ditë, artistë, arkitektë dhe shumë profesionistë të tjerë do të bashkohen dhe do të shkëmbejnë ide dhe përvoja, si dhe ekspozita, evente, performanca dhe ndërhyrje në hapësira të ndryshme publike në Prishtinë. Është një fakt i njohur gjerësisht se Kosova është vendi i rinisë. Prandaj është kënaqësi që artistët tanë të rinj e bënë Kosovën referencë globale për këtë ngjarje të madhe kulturore”.
“Edicioni i 14-të i Manifestës përkon me 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Kjo traditë është një festë e artit, por po aq është edhe një dedikim për lirinë tonë. Është një përkushtim ndaj përpjekjeve tona të përditshme për të nxitur ndryshime pozitive, reforma kuptimplota, dhe zhvillim të vazhdueshëm. Këto janë edhe vlera që promovon Manifesta. Manifesta zgjodhi Prishtinën këtë vit. Ajo zgjodhi traditën e ndërthurur me modernitetin, e cila bashkërisht i shton ngjyrën, shpirtin dhe bukurinë kryeqytetit tonë “, ka thënë ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Manifesta është një qytet që endet nëpër Evropë si një spektër, si një fantazmë, derisa përqafon një qytet evropian që mishërohet në atë që e bën më ndryshe.