Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar Për herë të parë në Kosovë, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës po realizohen operimet në zemër përmes metodës minimale invazive dhe endoskopike, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një postimi në Facebook ata kanë njoftuar se nga e mërkurja në Kardiologji po qëndron për një vizitë pune drejtori i Kardiokirurgjisë së Spitalit Universitar të Cyrihut.
“Në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë, nga dita e djeshme po qëndron për vizitë pune, drejtori i Kardiokirurgjisë së Spitalit Universitar të Cyrihut dhe njëkohësisht udhëheqës i Alliances për Kardiokirurgji (Spitali Universitar i Cyrihut, Spitali i qytetit te Cyrihut dhe Spitali kantonal i Cyrihut) Prof. dr. Omer Xhemaili”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Ai është pritur në takim nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, u.d. drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari dhe dr. Ardian Shefkiu, të shoqëruar nga Dr. Shpejtim Shurdhiqi, drejtor i Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë”.
ShSKUK ka njoftuar tutje se “gjatë takimit u vlerësua kontributi dhe përkrahja e profesor Xhemailit, e cila do t’i shërbejë edhe për kardiokirurgët e QKUK-së”.
“Profesor Xhemaili së bashku me stafin e Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë të udhëhequr nga Drejtori i klinikës, Dr. Shurdhiqi kanë realizuar me suksese riparimin e valvulës mitrale tek disa pacientë përmes metodës minimale invazive endoskopike, metodë që realizohet përmes një prerje rreth 5 centrimetra, në hapësirat ndër brinjore duke bërë riparimin apo ndërrimin e valvulës, pa pasur nevojë të hapet dërrasa e gjoksit-sternumi”, njofton ShSKUK.
“Kontributi dhe gatishmëria e Profesor Xhemailit në trajnimin e stafit të Kardiokirurgjisë me këto metoda minimale invazive paraqesin hap drejt zhvillimit të Kardiokirurgjisë me metoda të avancuara, të cilat në të ardhmen do të shtohen në numrin e procedurave operative kardiokirurgjike në QKUK”. /Gazeta Enigma/