Daniel Serwer, profesor në universitetin “Johns Hopkins”, ka thënë se për Ballkanin dhe Kosovën më mirë do të ishte që në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të rrinte presidenti aktual, Joe Biden, se që të rikthehet ish-presidenti Donald Trump.
Në diskutimin me temën “E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Mundësitë për dinamika të reja dhe ndikimi i zgjedhjeve në BE dhe SHBA”, Serweri ka thënë se Bideni ruan integritetin e shteteve, ndërsa Trumpi dallon.
“Gjëja më e mirë për zgjedhjet amerikane është se askush nuk i di rezultatet derisa të përfundojnë zgjedhjet.E dimë dallimin me Bidenit dhe Trumpit për Ballkanin. Bideni e ruan integritetin e shteteve. Trumpi dallon. Ka negociuar me Thaçin dhe Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Por jo vetëm për ndarjen e Kosovës. Po të ndahej Kosova, Bosnja do të ishte në rrezik, Mali i Zi poashtu, madje edhe Maqedonia. Unë mendoj që Bideni do të ishte shumë më i mirë sesa Trumpi sa i përket Ballkanit”, ka thënë Serwer.
Njohësi i çështjeve të Ballkanit nuk sheh gatishmëri për normalizim politik nga Kosova e Serbia. Sipas tij, dialogu teknik ka qenë shumë më produktiv sesa dialogu aktual politik.
“Edhe progresi i mëhershëm është kthyer mbrapa. Është me rëndësi që marrëveshjet të vlejnë për të dyja palët. Lajçak është munduar që të ushtrojë presion mbi Prishtinën për Asociacionin, por pa sukses. Kjo është një befasi se marrëveshja sheh obligime për të dyja palët”, ka thënë ai.
Serwer ka deklaruar se ka ardhur koha që Serbia ta tregojë përkushtimin për rend dhe ligj duke e transferuar Milan Radoiçiqin në Kosovë për t’u dënuar për sulmin në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar, ku vdiq rreshteri Afrim Bunjaku.
Pjesë e panelit ishte edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, e cila ka thënë se si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë bërë hapa të vegjël për të zbatuar marrëveshjet.
“Jo vetëm që kemi devijuar nga rruga sa i përket bërjes së politikës, tani jemi në një lloj konfrontimi me ndërkombëtarët”, ka thënë ajo.
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u shpreh skeptik se Serbia do të ndërrojë qëndrimet.
“Nuk mendoj që Vuçiqi ka vullnetin dhe besimin në këtë proces dhe nuk mendoj se është i nxitur të shkoj para në këtë proces”, ka thënë Bushati.