Disa viruse, përfshirë gripin, HIV-in dhe hepatitin C, mund të trajtohen me një pilulë. Por, me gjithë hulumtimet prej më shumë se një viti, një pilulë e tillë nuk ekziston ende për të trajtuar koronavirusin SARS-CoV-2, që shkakton sëmundjen COVID-19.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shpenzuar më shumë se 18 miliardë dollarë vitin e kaluar, për të financuar kompanitë farmaceutike, që do të krijonin një vaksinë kundër koronavirusit.
Përpjekjet e tyre kanë rezultuar me disa vaksina të efektshme në kohë rekorde, përfshirë: Pfizer/BioNTech dhe Moderna.
Tani, kur vaksinimi në SHBA dhe në disa pjesë të tjera të zhvilluara të botës ka marrë hov, Qeveria amerikane do të investojë mbi tre miliardë dollarë në një fushë tjetër kërkimi: zhvillimin e një pilule që do të luftonte koronavirusin në fazat e hershme të infektimit dhe do të shpëtonte potencialisht shumë jetë në vitet që do të vijnë.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka njoftuar muajin e kaluar se do të ndajë 3.2 miliardë dollarë nga Plani Amerikan i Shpëtimit për, siç ka thënë, zhvillimin e pilulës antivirale për trajtimin e sëmundjes COVID-19.
Doktor Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Alergji dhe Sëmundje Infektive, ka thënë se mezi pret kohën kur pacientët me koronavirus do të gjejnë pilula në farmaci, sapo të diagnostikohen si pozitivë apo të ndjejnë simptomat e para.
Mbështetja e Faucit për pilulat antivirale buron nga përvoja e tij në luftën kundër virusit HIV, tri dekada më parë.
Në vitet 1990, Instituti i tij ka bërë disa kërkime, që kanë çuar në disa nga pilulat e para antivirale kundër HIV-it. Pilulat që njihen si “frenues të proteazës” bllokojnë një proteinë të virusit HIV dhe mund ta mbajnë atë joaktiv për gjithë jetën.
Në fillimin e viteve 2000, shkencëtarët kanë zbuluar edhe një antiviral, të quajtur Sofosbuvir, që mund të shërojë hepatitin C gati 100 për qind.
Antivirali Tamiflu, ndërkaq, mund të shkurtojë kohën që duhet për rikuperim nga infeksioni me grip.
Në fillim të pandemisë COVID-19, pranverën e vitit të kaluar, shkencëtarët kanë nisur testimin e antiviraleve ekzistuese te pacientët me koronavirus, të shtruar në spital. Por, shumë prej këtyre testimeve nuk kanë treguar ndonjë përfitim nga antiviralët, përveç Remdesivirit.
Në tetor të vitit të kaluar, Remdesiviri është bërë medikamentu i parë – dhe deri më tani i vetmi – që ka marrë miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave në SHBA për trajtimin e sëmundjes COVID-19.
Por, në nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar kundër përdorimit të Remdesivirit, duke thënë se ai nuk ka “efekt domethënës te pacientët”.
Ekipi anti-COVID i administratës Biden, që ka marrë detyrën në janar, ka hartuar tashmë një program kushtuar pilulave antivirale. Shkencëtari kryesor i këtij ekipi, David Kessler, ka thënë se shpreson që një antiviral të jetë gati “deri në fund të vjeshtës”.
Në radarin e Qeverisë amerikane, përveç të tjerave, është edhe kompania farmaceutike Pfizer, e cila tashmë ka prodhuar një vaksinë të suksesshme kundër koronavirusit.
“Ndryshim i lojës”
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Albert Bourla, ka thënë se trajtimi antiviral mund të jetë i disponueshëm për publikun në fund të vitit 2021.
Bourla ka thënë për mediat në SHBA se kompania e tij është duke testuar dy antiviralë: një që injektohet në mënyrë intravenoze dhe një hap që pihet.
Ai ka thënë se Pfizer, megjithatë, është duke i përqendruar përpjekjet në opsionin oral, sepse, “ofron disa përparësi” – para së gjithash, nuk detyron shkuarjen në spital apo praninë e një punonjësi shëndëtësor në kohën e trajtimit.
Bourla e ka përshkruar pilulën antivirale orale si “ndryshim të lojës”.
“Fundi i vitit është një kornizë e arsyeshme kohore për publikun, por varet nga suksesi i provave klinike dhe miratimi nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Më shumë lajme në lidhje me medikamentin duhet të jenë në dispozicion gjatë verës”, ka thënë Bourla.
Medikamenti oral që po teston Pfizer, njihet si PF-07321332. Ai pritet të funksionojë duke e ndaluar virusin SARS-CoV-2 që të replikohet në qelizë, falë pranisë së frenuesve të enzimës që njihet si proteazë.
Tableta s’e zëvendëson vaksinën
Specialisti i sëmundjeve infektive në Spitalin e Filadelfias, Paul Offit, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe nëse medikamenti oral del të jetë efektiv, ai nuk do ta zëvendësojë vaksinën kundër koronavirusit.
“Unë mendoj se mënyra më e mirë për të luftuar virusin është parandalimi. Trajtimi është zakonisht i vështirë dhe i vonshëm”, thotë Offit, i cili ka qenë edhe anëtar i një paneli në SHBA që ka rekomanduar përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech.
Sipas tij, tabletat nuk mund ta zëvendosojnë vaksinën, andaj “parandalimi është mënyra më e mirë”.
“Tabletat janë sikur të përpiqesh të shuash zjarrin derisa digjet. Por, më mirë është të mos ketë zjarr fare. Kjo është arsyeja përse vaksinat shërbejnë si parandalim”, thotë Offit për Radion Evropa e Lirë.
Deri në fillim të muajit korrik, në të gjithë botën janë dhënë mbi tre miliardë vaksina.
Koronavirusi, ndërkohë, ka krijuar disa variante, që kanë nxitur dyshime për efektshmërinë e vaksinave. Por, zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë siguruar se shumica e vaksinave që përdoren në Perëndim, mbeten efektive.