Kina po planifikon të mos transmetojë ndeshjet e Premier League angleze në territorin e saj këtë fundjavë. Kjo vjen për shkak të mbështetjes që elita e futbollit anglez po i jep Ukrainës në shenjë solidariteti.
“BBC” pretendon se veprimi i Kinës lidhet pikërisht me veprimet e ligës angleze për Ukrainën. Më herët Kina ishte distancuar për të vendosur sanksione mbi Rusinë, siç bënë shumica e vendeve evropiane dhe SHBA.
Kapitenët e të 20 klubeve të Premier League do të mbajnë shirita të veçantë në ngjyrat ukrainase.
Tifozët janë inkurajuar që t’u bashkohen lojtarëve, trajnerve, zyrtarëve të ndeshjeve dhe stafit të klubit në një moment reflektimi dhe solidariteti përpara fillimit të ndeshjeve.
Ekranet e mëdha në stadiume do të shfaqin “Futbolli qëndron së bashku” në një sfond blu dhe të verdhë, që përputhet me ngjyrat e flamurit ukrainas.
Por masat e koordinuara të kësaj fundjave nuk do të shfaqen në Kinë, e cila thotë se do të “vazhdojë të ketë një bashkëpunim normal tregtar” me Rusinë pavarësisht pushtimit të Ukrainës nga kjo e fundit.
Kina, e shqetësuar për fuqinë amerikane në Azi, e ka lidhur gjithnjë e më shumë politikën e saj të jashtme me Rusinë për të sfiduar Perëndimin.
Megjithatë, Kina gjithashtu ka një marrëdhënie të mirë me Ukrainën dhe vlerëson stabilitetin./Gazeta Enigma/