Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në Bruksel, kështu arsyetohet Zyra e BE-së

Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në Bruksel, kështu arsyetohet Zyra e BE-së

Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në mbledhjen e katërt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes vendit dhe unionit evropian ka sjellë reagime të shumta.

Nga Zyra e BE-së në Kosovë e kanë arsyetuar fusnotën në entitetin Kosovë duke thënë se është në përputhje përbrenda kornizës ligjore të MSA-së.

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është nënshkruar dhe ratifikuar me Kosovën* dhe fusnotën. Rrjedhimisht Këshilli i Stabilizim-Asociimit i krijuar nga MSA-ja duhet të punojë përbrenda kësaj kornize ligjore”, deklarohet në përgjigjen e BE-së.

Të pyetur nëse fusnota cënon integritetin sovran të Kosovës, nga kjo Zyrë kanë thënë se Kosova, sikurse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e kanë përspektivën e qartë evropiane.

“Kosova është pjesë e politikës së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe ka një perspektivë të qartë evropiane, së bashku me partnerët e tjerë në rajon, në përputhje me konkluzionet e samitit të Selanikut të vitit 2003”, njofton një zëdhënëse e Zyrës së BE-së në Kosovë për lajmi.net.

Në takimin e mbajtur në kuadër të Këshillit të Stabilizim-Asociimit kryeministri Albin Kurti ka përfaqësuar Kosovën me fusnotë.

Për fusnotën, në uebfaqen e Këshillit të BE-së, u tha se “ky përcaktim është pa paragjykim për qëndrimet mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.

Fusnota e Kosovës është parë edhe në dokumentin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit të arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, më saktësisht në titull, Kosova shënohet me fusnotë dhe quhet si “territor”./Gazeta “Enigma”/

Related Articles