Fitim i madh i bankave, ulën kamatat e kredive por i rritën tarifat

Fitim i madh i bankave, ulën kamatat e kredive por i rritën tarifat

Bankat në Kosovë i kanë ulur normat e interesit në kredi, por i kanë rritur tarifat, thonë Albulena Kastrati, studiuese e politikave bankare dhe Florin Aliu, studiues i tregjeve financiare.

Sipas tyre, kjo ka bërë që profiti i bankave megjithatë të jetë i lartë.

Kastrati ka thënë se 11 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, kanë raportuar profit në vlerë prej 100 milionë euro brenda 10 muajve të këtij viti, që sipas saj, është profiti më i lartë i realizuar ndonjëherë deri më tani.

“Sivjet vetëm deri në tetor 2021, Bankat kanë raportuar 100 milionë mijë euro profit, që është profiti më i lartë që kanë realizuar ndonjëherë në Kosovë, si sektor. Së pari bankat te ne e dominojnë sektorin financiar, dhe financimi kryesor i ekonomive familjare dhe bizneseve vjen prej bankave, e dyta është se kanë fuqi tregu edhe nga ana e aseteve, kanë mundësi ta përcaktojnë edhe çmimin e kredisë edhe sasinë e kredisë që e ofrojnë”.

“Edhe kanë pozicion shumë stabil të likuiditetit, pasi njerëzit nuk kanë ku t’i depozitojnë mjetet e tyre financiare. Një arsye tjetër shumë e rëndësishme është se kreditë që nuk kthehen janë shumë të ulëta në Kosovë”, ka thënë Kastrati.

Sipas saj, e hyra kryesore e bankave në Kosovë janë tarifat dhe se qytetarët e Kosovës janë kredimarrësit më të mirë në rajon, pasi niveli i kredive të këqija është i ulët.

“Njerëzit në Kosovë janë kredimarrësit më të mirë në rajon. E hyra kryesore e bankave është arkëtimi i interesit në kredi. Bankat realizojnë të hyra nga tarifat dhe provizionet, që janë ato ngarkesa për qytetarët për secilën pagesë, tërheqje etj, janë shumë të ulëta. Bankat i kanë ulur normat e interesit por i kanë rritur ngarkesat në provizione. 25% të të gjitha të hyrave bankat i realizojnë përmes tarifave”, është shprehur Kastrati.

Ndërkaq, Florin Aliu ka folur edhe për kursimet e Trustit Pensional, duke thënë se kjo shtyllë duhet të liberalizohet.

Ai ka thënë se në Kosovë është shumë e nevojshme që të krijohet bursa e Prishtinës.

“Në Kosovë, duhet të krijohet tregu i kapitalit, bursa e Prishtinës. Nëse i shohim vendet e Ballkanit, janë integruar në një bursë të përbashkët. Janë brenda një burse të përbashkët, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Bosnja, Bullgaria, Rumania. BE-ja operon me një bursë të përbashkët thirret Euronext”.

“Janë mbi 2 miliardë mjete në menaxhim, ne i kontribuojmë zhvillimit të vendeve të tjera, e nuk vijnë këtu. Duhet të fillojë iniciativa përndryshe ne vazhdimisht mund të na qëndrojnë atje. Me pas bursën e ristrukturon shumë mirë ekonominë tënde. Qytetarët e Kosovës bëhen pronarë të këtyre kompanive. E vetmja mënyrë për të tërhequr investimet e tyre është që ata të jenë bashkëpronar të këtyre kompanive”, ka thënë Aliu në “Java Sonte me Rronin” në KTV, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Ndërkaq, duke folur për dhënien e 10% të trustit për qytetarët e Kosovës vitin e kaluar, në kohë të pandemisë, Kastrati e Aliu kanë thënë se ky ishte një vendim i gabuar.

Sipas tyre, kjo është një simptomë që shteti ka dështuar t’i menaxhojë krizat dhe e udhëzon qytetarin që t’i shfrytëzojë fondet që duhet të përdoren pas 20 apo 30 vitesh./Gazeta “Enigma”/

Related Articles