Përfaqësuesi special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, pritet ta vizitojë Kosovën gjatë muajit janar.
Diplomati amerikan pritet ta vizitoj Kosovën gjatë javës së dytë të janarit, kur pritet të vijë në Kosovë ambasadori i ri i SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, i cili edhe do të dorëzojë letrat kredenciale presidentes, Vjosa Osmani, kanë konfirmuar burimet e Albanian Post, përcjell Gazeta Enigma.
Kurse, Ambasada Amerikane nuk ka lëshuar ende një njoftim zyrtar për vizitën e Escobar në Kosovë.
I ngarkuari amerikan për Ballkanin Perëndimor më parë ka vizituar Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Kosova dhe Serbia janë dy vendet që nuk i ka vizituar ende.
Vizita e tij në Kosovë mund të jetë inkurajuese për Qeverinë si në raport me bisedimet me Serbinë, po ashtu edhe në raport me marrëdhëniet amerikane dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend.
Escobar tashmë është duke u pozicionuar qartazi pro idesë së “Open Balkan”.
Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, Podgorica zyrtare i ka thënë më shumë një “po” Escobarit për “Open Balkan” se sa një “jo”, gjë që në rast të hyrjes së Malit të Zi në këtë iniciativë, Bosnja dhe Hercegovina si një vend i destabilizuar dhe Kosova mbesin vendet e vetme jashtë saj, si dy vende barrikaduese dhe jo bashkëpunuese.
Nuk duhet harruar se Mali i Zi kishte dërguar në Shkup në fillet e iniciativës së “Open Balkan” ministren e ekonomisë për të parë idenë nga afër.
Për SHBA-në ideja e “Open Balkan” është e vlefshme vetëm nëse participon Ballkani në tërësi, gjë që ata në këtë drejtim do të bëjnë përpjekje maksimale që të jenë të gjitha vendet.
Nga ana tjetër Kosova e ka refuzuar me ngulm këtë iniciativë.
Me 28 dhjetor Jeffrey Hovenier është betuar si ambasador i ri i SHBA-ve në Kosovë, thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Hovenier e ka kryer betimin para nënsekretares amerikane të Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland.