Një grup serbësh janë mbledhur në Mitrovicën Veriore për të kundërshtuar mosmbajtjen e referendumit serb në Republikën e Kosovës. Policia ka konfirmuar se tubimi i tyre ka përfunduar dhe aty nuk është shënuar ndonjë incident.
Zëdhënsi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Besim Hoti, tha se tubimi ka zgjatur rreth gjysmë ore.
“Nuk ka incidente, ka qenë tubim si kundërshtim për referendumin. Ka përfunduar dhe nuk ka telashe”, tha Hoti.
Ai tha se ky ka qenë tubim dhe jo protestë, ndërsa një e tillë është lajmëruar për mbahet në orë 12:00.
Tutje, Hoti tha se tubimi është bërë gjatë kohës sa serbët janë mbledhur për të shkuar për votime në Serbi.
Në mesin e personave që u panë në këtë tubim janë ministri Goran Rakiq, deputeti Igor Simiq, si dhe kryetarët e komunave veriore të vendit.
Gjatë kësaj kohe, serbët kanë vendosur një kuti votimi në qendër të qytetit si performancë, ku kanë “votuar” disa nga të pranishmit.
Mbrëmë vonë, Komisioni i Zgjedhjeve atje ka marrë vendim që serbët e Kosovës të votojnë në katër qytete të Serbisë si: Kurshumlia, Rashkë, Novi Pazar dhe Vranjë, kjo pasi Kosova nuk lejoi mbajtjen e referendimit serb në Republikën e Kosovës.
Për këtë çështje Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi./Gazeta Enigma/