Mesfushori i Gjilanit, Oltion Bilalli është zgjuar sot (e enjte) me vetëdije dhe gjendje të përmirësuar shëndetësore.
Bilalli ka pësuar një lëndim serioz gjatë ndeshjes ndërmjet Gjilanit dhe Malishevës të martën, pas një dueli në ajër me portierin Ilir Avdyli.
Ai është detyruar të largohet nga fusha me autoambulancë, duke u dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Gjilanit, për trajtim të mëtutjeshëm dhe pastaj në QKUK në Prishtinë.
Ai pësoi një gjakderdhje të brendshme në kokë dhe këto dy ditë kanë qenë të vështira për të, edhe pse është raportuar se ai është jashtë rrezikut për jetën.
Megjithatë, gjatë ditës së sotme (e enjte) ka ardhur një lajm pozitiv, ku lojtarit të ri i është kthyer vetëdija dhe ka njoftuar të afërmit e tij.
“Po, Oltioni është zgjuar, tani ka vetëdije dhe ka njoftuar të afërmit e tij. Momentalisht ende gjendet në intensive”, ka thënë një burim i afërt i lojtarit për Telegrafin.