Derisa pika kufitare në Merdar është rihapur, pasi serbët në territorin e Serbisë, kanë hequr barrikadën e vendosur dy ditë më parë, dy pikat e tjera kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak, mbesin ende të mbyllura.
Ndërkohë, mëngjesi i së enjtes, zbardhi me djegien e kamionëve të vendosur si barrikadë në vendin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në veriun e Mitrovicës.
Një ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka biseduar me Listën Serbe, partinë që e dirigjon vetë ai, që të hiqen barrikadat nga rrugët e veriut të Kosovës.
Megjithatë, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Siç raporton RTK duke u mbështetur në burime, barrikadat në veri të Mitrovicës nuk janë larguar sepse ka përplasje të mëdha mes vetë grupeve kriminale.
Gazetares së RTK-së i është konfirmuar nga burime të saj se e ashtuquajtura “Mbrojtja Civile “ (Civilna Zastita), grup kriminal që drejtohet nga Milan Radojçiq, është përplasur me ish pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që kanë dhënë dorëheqje nga puna.
Kjo pasi këta të fundit, nuk janë dakord që barrikadat të largohen sepse në këtë mënyrë, përveç humbjës së vendit të punës, nuk kanë arritur asnjë përfitim tjetër.
E në anën tjetër, Radojçiq është i detyruar t’i largojë barrikadat sepse kështu ia ka kërkuar shefi i tij në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Për këtë arsye, policët e dorëhequr, në shenjë proteste dhe revolte, kanë djegur kamionët në vendin e quajtur “Shkëmbi i Dudës”.
Ndërkohë, situata e përgjithshme në veri të vendit, mbetët e qetë, por e tensionuar kurse barrikadatat ende janë në rrugë.