Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, është deklaruar sot në kuadër të Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë kësaj mbledhje të komisionit, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka pyetur ministren për një mori çështjesh, ndër të tjerash edhe për disa trajnim që kishin të bënin me njërin nga zyrtarët e ministrisë.
E në deklarim e sipër, ministrja Hajdari tha se “ka marrë shumë shantazhe nga mediat”.
Nuk dihet se për çfarë saktësisht fliste ministrja, pasi që nuk e sqaroi por ajo tha se këto “shantazhe”, kishin të bënin me trajnime e edukime.
“Po marr shantazhe nga mediat, jo trajnimi, jo edukimi e të tjera.Nuk janë nënshkruar marrëveshjet në hotelin e lartcekur, por ka qenë një tjetër.Ne kemi trashëguar një ministri ku nuk kemi vend për mbi 130 persona.”, tha ministrja Hajdari.
Mbledhja e Komisionit për Ekonomi është duke vazhduar ku po diskutohen për disa pika të rendit të ditës.
E pas përfundimit të fjalës nga ministrja Hajdari, nga deputetët e tjerë pati ankesa se deputeti Shala nuk ua dha fjalën e as mundësinë që të parashtrojnë pyetje gjatë gjithë mbledhjes.
E deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se Shala po tenton të denigrojë personalitetin e Sekretarit të Përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, i cili është staf civil.
“Ekziston procesverbali dhe incizimi. Pyetje gjithnjë i kishi me tendenca, a keni shku a keni bë? Normal që ministria nuk ka vend për mbi 130 persona që vinë të nënshkruajnë. Ka deviju kjo mbledhje.”, tha Kusari-Lila.
Rendi i ditës:
1. Miratimi i rendit të ditës;
2. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mbajtur më datë 12.04.2022;
3. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për Projektligjin nr.08/L-056 për mbrojtjen e konkurrencës;
4. Caktimi i ekspertit për hartimin e nismës legjislative “Projektligji për kriptovaluta”;
5. Raportimi i ministres së industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë, znj.Rozeta Hajdari, lidhur me gjendjen dhe administrimin e rezervave shtetërore të mallrave; si dhe lidhur me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore”;
6. Të ndryshme./Gazeta Enigma/