Përplasje në Kuvend – LDK paralajmëron bojkot të Kuvendit nëse nuk lejohet të formohet Komisioni Hetimor për energji

Përplasje në Kuvend – LDK paralajmëron bojkot të Kuvendit nëse nuk lejohet të formohet Komisioni Hetimor për energji



Më përplasje e pakënaqësi ka filluar seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.

Kjo pasi që shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në seancën e Kuvendit ka thënë se nëse opozitës nuk lejohet formimi i Komisionit Hetimor parlamentar për çështjet energjetike atëherë LDK nuk do të marrë pjesë më në votimet në Kuvend.

“Mohimi i kësaj të drejte për ne është përtej çdo limtii, si deputet mund të konkludoj se nëse nuk formohet Komisioni Hetimor parlamentar nuk ka më kuptim që LDK të marrë pjesë në çfarëdo votimi në Kuvend. Nuk ka më kuptim që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare nëse i mohohet opozitës të formojë komision hetimor”, tha Gashi.

Tutje ai tha se “Nëse opozitës i mohohet formimi i një komisioni hetues parlamentar nuk ka më kuptim parlamentarizmi. 40 deputetë janë kategori kushtetuese”, tha Gashi.

Gashi tutje tha se beson se ka deputetë brenda VV-së që do të deklarohen se është gabim moslejimi i formimit të Komisionit Parlamentar.

“Kjo mënyrë e të menduarit është e patolerueshme, besoj se ka njerëz brenda VV-së që kanë me thanë që e keni gabim, unë du me besu që kryetari i Kuvendit që me u rrëzu shtylla kryesore, mbikëqyrja parlamentare. Unë deklaroj, se ne nuk do të votojmë asnjëherë në këtë Kuvend pa u formu Komisioni Hetimor”, tha Gashi.

Me formimin e këtij komisioni s’është pajtuar plotësisht Lëvizja Vetëvendosje.

Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë partia e saj është e interesuar të dijë se çfarë përbërje mund të ketë ky komision, pasi deputetët nënshkrues janë nga partitë opozitare.

“Në rrethanat aktuale pamundësohet funksionalizmi përderisa të gjitha partitë opozitare janë iniciuese, ndërsa me ligj asnjë nga deputetët e pozitës nuk mund të jetë kryesues i këtij komisioni. Bazuar në praktikën e mëhershme, më 2018, kur njëjtë nënshkrues ishin LDK-ja e LVV-ja, kryeparlamentari asokohe tha që për arsye se deputetët e dy partive janë iniciuese të komisionit hetimor nuk mund të themelohet sepse nuk mund të udhëhiqet nga deputetët e njërit grup parlamentar që është iniciues i komisionit hetimor”, ka thënë ajo./ Gazeta Enigma.

Related Articles