Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviç, i ka bërë sërish thirrje Prishtinës që të mos provojë asgjë që do të rrezikonte sigurinë e serbëve në Kosovë.
Thirrja erdhi pas vlerësimeve se Kosova mund të përpiqet të marrë nënstacionin e Vallaçit dhe hidrocentralin e Gazivodës për shkak të “situatës së komplikuar energjetike”.
Duke folur në TV Pink, Petkoviç tha se Serbia po bën gjithçka për të mbrojtur popullin serb në Kosovë dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që t’i kushtojë vëmendje asaj që po bën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Kurti është një njeri i rrezikshëm dhe ne duhet të kthehemi në tryezën e bisedimeve. Pres që bisedimet të vazhdojnë në gjysmën e dytë të nëntorit dhe tema e parë e këtyre bisedimeve është formimi i Asociacionit”, tha Petkoviç.
I pyetur se si e sheh takimin e kreut të PS-së Dragan Gjilas në Departamentin e Shtetit me Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, Petkoviç tha se ishte “mjere dhe poshtëruese” që “Gjilas i karakterizonte serbët si kriminelë në mes të Amerikës”.
“Ai tha se veriu është i kriminalizuar dhe kjo është arsyeja pse duhet të integrohet plotësisht në institucionet e Kosovës. Sipas raporteve të policisë së Kosovës, shkalla e krimit është shtatë herë më e lartë në jug sesa në veri”, tha Petkoviq, duke shtuar se kushdo që pajtohet me retorikën e Kurtit “pajtohet të sulmojë popullin serb në Kosovë”.
Petkoviç theksoi se Serbia nuk do ta lërë kurrë popullin e saj dhe se “stuhitë apo ndonjë masakër nuk do të jenë më kurrë të mundshme”.
“Serbia po bën më shumë se kurrë për t’i ofruar gjithçka popullit serb në Kosovë, ne kemi nevojë për paqe dhe stabilitet, si dhe dialog për të cilin insistojmë”, tha Petkoviç./Gazeta Enigma/