Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverisë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka folur për takimin e djeshëm me ambasadorët e Quint-it.
Ai në një adresim nga Qeveria e Serbisë në Beograd, ku të pranishëm ishin edhe katër kryetarët e komunave veriore, tha se kjo është një mundësi që edhe një herë të tregohet unitet i plotë dhe që sipas tij, ata do t’i japin mbështetje të plotë presidentit Vuçiq, në bisedimet dhe negociatat që pritet të mbahen në Bruksel.
“E gjithë kjo tregon se sa të vështira janë rrethanat në të cilat po shkojmë në Bruksel. Çështja e formimit të Asociacionit do të jetë në rend dite dhe ne do të insistojmë për të edhe në Bruksel. Sot është dhjetë herë më e vështirë se dikur dhe Kurti e përdor këtë për të thënë se Rusia ushtron ndikim përmes Serbisë. I vetmi që shkon në drejtim të dhunës është Albin Kurti”.
“Ne duam të shkojmë në drejtim të kompromisit, por këtë duhet ta dëshirojë edhe pala tjetër që po i detyron serbët të heqin dorë nga shteti i tyre. Është e rëndësishme të tregosh mençuri dhe mirëkuptim, ta zgjidhësh këtë situatë në mënyrë paqësore, të gjesh një kompromis. Shërbimet e Prishtinës çdo ditë vëzhgojnë terrenin, kërkojnë zona për sulme, ndjekin njerëzit dhe kjo tregon se Kurti nuk dëshiron të jetë i qetë”, thotë Petkoviq.
Tutje ai tha se nuk e kanë opsion dorëzimin.
“Ne nuk do të pajtohemi që dikush të poshtërojë popullin tonë. Po të mos ishte Vuçiq, pyetja është se çfarë do të ndodhte me Serbinë dhe serbët në Kosovë”, tha tutje Petkoviq.