Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, thotë se nata në veri të Kosovës ka qenë e qetë, por në një atmosferë tensioni.
Ai thotë se Prishtina donte të provokonte konflikte dhe të merrej me popullin serb, derisa shton se “Albin Kurti në mënyrë të njëanshme vendosi t’i vërë flakën fuçisë së barutit në veri të Kosovës”.
Petkoviq pretendon se po mundohen në çdo mënyrë që ta ruajnë paqen dhe stabilitetin, derisa thotë se vetëm kështu mund të ecin përpara.
“Nëse presidenti Vuçiq e ka shqiptuar fjalën paqe më shumë se 50 herë, si mund të interpretohet si provokim adresimi i tij, i imi apo i ndonjërit prej nesh nga Beogradi?’.
Ai thotë se kanë bërë gjithçka që të bindin bashkësinë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Albin Kurtin për të mos e aplikuar masën e reciprocitetit.
“Në 24 orët e fundit kemi lëvizur gati qiellin dhe tokën që të vëmë kontakt me bashkëbiseduesit të cilët mund të ushtrojnë presion për të ruajtuar paqen dhe stabilitetin”, tha Petkoviq duke thënë se masa e reciprocitetit u pezullua për shkak se ShBA-ja dhe vendet e Quint-it i bënë presion Kurtit.
Petar Petkoviq, që është edhe kryenegociatori i palës serbe, ka thënë se periudha e ardhshme duhet të përdoret për të arritur një zgjidhje kompromisi në Bruksel.