Petkoviq: Kurti tentoi t’ia hidhte topin Beogradit për dështimin e dialogut

Petkoviq: Kurti tentoi t’ia hidhte topin Beogradit për dështimin e dialogut

Shefi i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha më 27 dhjetor se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “në mënyrë të pasuksesshme tentoi të hidhte topin në fushën e Beogradit për dështimin e dialogut”.

Kjo deklaratë e Petkoviqit vjen pasi Kurti pyeti Bashkimin Evropian pse në dialogun e Brukselit është diskutuar për disa vjet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “nëse draft-statuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës”.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në një konferencë për media më 27 dhjetor në Prishtinë, Kurti iu referua deklaratave të ndërmjetësit në dialog, Mirosllav Lajçak, sipas së cilave çështja e draft-statutit është “vetëm çështje e brendshme e Kosovës”.

Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, dhe Asociacioni do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.

Një draft-statut për Asociacionin iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

“Tash përveç letrës së kryeministres [së Serbisë, Ana] Bërnabiq ka edhe një qëndrim tjetër të ri që mbase duhet adresuar, që draft-statuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës, atëherë pse e kemi përmendur në tryezën e bisedimeve në Bruksel pra, nëse draft-statuti na paska qenë çështje e brendshme e Kosovës? Tash e dy vjet ose tash e dhjetë vjet pse e ngrinim këtë në Bruksel, një temë më pak, ecim përpara”, tha Kurti.

Petkoviq përmes një deklarate tha se Kurti “është ai që shkel të gjitha marrëveshjet e mundshme të arritura në Bruksel dhe shkatërron çdo përpjekje për të normalizuar raportet me Beogradin”

Ai theksoi se marrëveshjet e arritura “thonë qartë” se kush e shkruan statutin e Asociacionit, si do të duhej të dukej ai, por Kurti “nuk dëshiron” ta formojë atë.

Sipas njoftimit, vijat e kuqe të Serbisë nuk kanë ndryshuar: mosnjohja e Kosovës dhe mosanëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, përmes një letre dërguar Brukselit, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, shprehu rezerva për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve që palët arritën në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mars, në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç i referohet në këtë deklaratë, konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin de facto apo de jure njohjen e Kosovës”, u tha në dokumentin përmes së cilit Serbia shprehu qëndrimin e saj.

Related Articles