I ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, ka dënuar sulmin ndaj Milan Jovanoviqit, i cili mbrëmë ka pësuar një plagë me armë zjarri në urën e Bistricës.
“Fjala është për një familjar, i cili ka tre fëmijë, një shofer taksie, në atë postbllokun krejtësisht ilegale afër urës së Bistricës, policia e Kosovës çdo ditë ndalon serbët dhe i ngacmon ata, e kemi thënë vazhdimisht se nuk kanë të drejtë të jenë në veri të Kosovës, sepse është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet, por qeverisë së Kosovës nuk i intereson, i shkelin të gjitha marrëveshjet, me provokime të shtuara po mundohen të nxisin një reagim të papërshtatshëm të serbëve për Kosovën, sepse tensionet dhe kriza e dukshme sot i duhen vetëm Kosovës, sepse kjo është mënyra e vetme për të shmangur themelimin e Asociacionit”, tha Petkoviq.
Petkoviq ka kujtuar se nga koha kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti erdhi në pushtet janë regjistruar mbi 300 incidente dhe se vetëm në muajin e fundit janë grabitur 12 shtëpi.
“Do ta shihni reagimin e policisë së Kosovës, ata kanë dy qasje, ose të kriminalizojnë serbët ose të mohojnë akuzat”, ka shtuar Petkoviq.
Petkoviq pyeti se pse policia nuk i tregoi pamjet nga ura e Bistricës.
“Herën e fundit që i kërkova Xhelal Sveçlës të tregonte pamjet, ai nuk donte ta bënte këtë”, tha Petković.
Petkoviq tregon se për të njëqindtën herë është derdhur gjak serb.
“Kurti nuk dëshiron paqe, ai nuk dëshiron të zbatojë asgjë për të cilën është rënë dakord. Ne po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, në mënyrë që serbët në veri dhe në jug të Ibrit të jetojnë në paqe”, tha Petkoviq.
Serbi nga Zveçani është plagosur mbrëmë vonë nga një armë zjarri jo afër urës së Bistricës. Të shtënat kanë ndodhur në afërsi të pikës së kontrollit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.