Drejtori i të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, është takuar dje me ambasadorin rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko, takim në të cilin ka dominuar tema për Kosovën.
Ai ka folur me ambasadorin rus për rezultatet e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ku ka theksuar se serbët pranuan të marrin pjesë në këto zgjedhje vetëm sepse siç tha ai “mbështesin Marrëveshjen e Brukselit dhe pritshmëritë nga formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.
Petkoviq ka thënë se “Beogradi nuk do të heqë dorë nga insistimi për formimin e menjëhershëm të Asociacionit dhe në takimin e ardhshëm në Bruksel do të kërkojë hapa konkretë në këtë drejtim”.
Ai ka shtuar se “dialogu i Brukselit aktualisht është peng i mosgatishmërisë së Prishtinës për ta zbatuar atë deri më tani dhe para së gjithash, detyrimin e marrë për të formuar Asociacionin”.