Pezullohet projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës

Pezullohet projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës

Zyra e Bashkimit Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë njoftuar se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

Pezullimi i projektit të restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, vjen pas reagimeve të faktorit ndërkombëtar, në këtë rast ambasdorit gjerman në Kosovë dhe së fundmi edhe raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, të cilët e figurën e Xhafer Devës e lidhin me krimet që kryen nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në njoftim thuhet se “Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Bashkimin Evropian kanë dëgjuar nga afër shqetësimet pas njoftimit për restaurimin e një vendi të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë të lidhur me pronarin e mëparshëm Xhafer Deva, e kaluara e të cilit si bashkëpunëtor i nazistëve është komentuar shumë gjatë ditëve të fundit”.

“UNDP dhe Bashkimi Evropian shprehin keqardhje për çdo ofendim të paqëllimshëm të shkaktuar me rastin e njoftimit për fillimin e punimeve duke lënë jashtë sfondin historik të Xhafer Devës. UNDP dhe Bashkimi Evropian dënon fuqishëm antisemitizmin, ksenofobinë si dhe manifestimet e shumta të tij, duke përfshirë rritjen e intolerancës dhe urrejtjen ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme”, thuhet në njoftim.

“Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin dhe të luftojmë dezinformimin”.

Më tej thuhet se “UNDP së bashku me BE-në, kanë pezulluar punën në këtë lokacion. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe do ta rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë për të përdorur polemikën aktuale si një mundësi për të adresuar hapur të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve të hapura me të gjitha komunitetet përkatëse”. /Gazeta Enigma/.

Related Articles