Në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë ditës së sotme është mbajtur ceremonia e ndarjes së medaljeve për pjesëtarët e FSK-së të kthyer pas përfundimit të misionit të tyre në operacionin paqeruajtës dhe të stabilitetit përkrah forcave amerikane të Gardës Kombëtare të IOËA-s në Lindjen e Mesme në Kuvajt, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021.
“Sot në këtë ceremoni jemi të gjithë të nderuar të përjetojmë këtë moment shumë të rëndësishëm që do të mbetet një moment kulminant që ka ndodhur ndonjëherë në historikun tonë ushtarak. Kjo është vetëm nisma dhe do të vazhdohet edhe më tutje me operacione tjera kudo që na kërkohet neve dhe kudo që shtetet partnere kanë nevojë për ndihmën tonë”, ka thënë zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili ka ndarë medaljen për “Pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare”.
Me këtë rast, ai falënderoi partnerët amerikanë për kontributin e tyre të dhënë për përfaqësimin e FSK-së jashtë vendit.
Në këtë ceremoni, ndër të tjera, atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së, kolonel Stephen Rose, falënderoi ekipin e FSK-së për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe profesional gjatë operacionit.
“Ju keni kontribuar që të bëni botën një vend të sigurt. Siguria vjen me paqe dhe me prosperitet”, theksoi ndër të tjera kolonel Rose.
Gjithashtu, pjesëtarët e FSK-së u dekoruan edhe nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama me medaljen për “Shërbim Vetëmohues”, me motivacion për kontributin e jashtëzakonshëm në operacionin e parë paqeruajtës./Gazeta Enigma/