Plagosja në Bielefeld, lirohen dy të arrestuarit

Plagosja në Bielefeld, lirohen dy të arrestuarit

Dy persona, të cilët ishin arrestuar të mërkurën në Bielefeld pas të shtënave me armë para gjykatës, janë liruar, raporton “Radio Bielefeld”,  transmeton Gazeta Enigma.

Katër persona u plagosën pas përfundimit të seancës ndaj Huseyin Akkurt, njërit prej të akuzuarve për vrasjen e boksierit kosovar Besar Nimani më 9 mars të vitit të kaluar. 

Babai dhe vëllai i Akkurtit pretendohet se janë plagosur, derisa një 23-vjeçar është në gjendje të rëndë shëndetësore. 

Lidhur me këtë dy persona u arrestuan, ndërsa policia po e kërkon si të dyshuar edhe vëllain e boksierit të ndjerë Besar Nimani. 

Të arrestuarit të mërkurën është konstatuar se nuk kanë të bëjnë me të shtënat dhe i përkisnin familjes që u qëllua me armë zjarri. Avokatët Lutz Klose dhe Jan-Christian Hochmann kanë konfirmuar lirimin e tyre.

Dëshmitarët pretendojnë se kanë parë vëllain dhe motrën e Besar Nimanit në një makinë të zezë që u largua nga vendi i ngjarjes. Pjesëmarrësit në gjyq po ashtu vunë re se të dy u larguan para kohe nga salla e gjyqit. /Gazeta Enigma

Related Articles