Plani strategjik i Qeverisë për Vetingun (Dokument)

Plani strategjik i Qeverisë për Vetingun (Dokument)

Prokurorët dhe gjyqtarët në Kosovë do t’u nënshtrohen procesit të vetingut. ‘Drita e gjelbër’ këtij procesi iu dha të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë, kur u  miratua draft-dokumenti për vetingun, përmes të cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit, shkruan Gazeta “Enigma”.

Por cili është plani i qeverisë për ta quar përpara vetingun?

Gazeta “Enigma” ka siguruar koncept dokumentin për zhvillimin e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë, ku parashihet që i gjithë procesi të zgjatë pesë vite.

Duke e arsyetuar vendimin për nisjen e këtij procesi në dokumentin e Qeverisë thuhet se “Për të luftuar një shkallë të këtillë të korrupsionit, funksionimi i mirëfilltë, i paanshëm dhe i pacenuar i gjyqësorit dhe prokurorisë është jetik. Për këtë, raporti i Komisionit Evropian për disa vite me radhë, përfshirë edhe në vitin 2020, ka konkuduar se “gjyqësori është ende i cenueshëm nga ndikimi i papërshtatshëm politik” dhe se “administrimi i drejtësisë mbetet i ngadaltë dhe joefikas dhe institucionet e sundimit të ligjit kanë nevojë për përpjekje të vazhdueshme për të ngritur kapacitetet e tyre”.

Koncept Dokumentin për Zhvillimin e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë.

Duke i cituar raportet ndërkombëtare, në dokument tutje theksohet se “Prokurorët kanë presion dhe ndërhyrje nga jashtë, përfshirë këtu mediat, policia, të dyshuarit por edhe nga vetë eprorët e tyre. Ata gjithashtu cekin përshtypjen se ka ndikim politik mbi zyrën e prokurorit të shtetit e cila, sipas tyre, reflektohet në numrin e ulët të rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë[1]. Probleme me ndërhyrje politike janë raportuar edhe nga gjyqtarët”.

Kënd e ka cak Vetingu?

Sipas Qeverisë, procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve duhet të trajtojnë rastet e akuzave për sjellje të keqe profesionale të cilat janë flagrante dhe të pajustifikueshme dhe krijojnë një reputacion të keq për gjyqësorin.

“Përgjegjësia disiplinore e gjyqtarëve nuk shtrihet tek përmbajtja e vendimeve të tyre, ku përfshihen edhe interpretimet e ndryshme ligjore ndërmjet gjykatave; ose tek rastet e gabimeve gjyqësore, apo kritikat ndaj gjykatës”, thuhet në koncept dokumentin për zhvillimin e Vetingut.

Është paraparë po ashtu se kur zhvillohen vlerësime profesionale të gjyqtarëve, nuk duhet të përdoren për të dëmtuar gjykimin e pavarur. “Vlerësimi i performancës së gjyqtarëve duhet të jetë së pari cilësor, me fokus në aftësitë, përfshirë: kompetencën profesionale, kompetencën personale, kompetencat sociale dhe në rastin e avancimit në pozita administrative, kompetencën për të drejtuar (lidership)”, thuhet tutje në dokumentin e siguruar nga “Enigma”.

Koncept Dokumentin për Zhvillimin e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë.


Bazuar në praktikat e shteteve të rajonit, por edhe atyre të botës, Qeveria ka paraparë që procesi të ndahet në tri faza.

Rivlerësimi përfshin – vlerësimin (verifikimi) e pasurisë,  kontrollin e të së kaluarës dhe  vlerësimin e aftësive profesionale.

Në dokument potencohet se ndryshimet kushtetuese kanë lënë hapësirë për përcaktimin e autoriteteve vlerësuese dhe kompetencave të tyre, metodave dhe kritereve të vlerësimit dhe rrjedhimisht kanë zvogëluar probabilitetin e kundërthënieve mes dispozitave ligjore dhe kushtetuese

Po ashtu është paraparë që gjyqtarët dhe prokurorët aktualë nuk duhet përfshirë në procesin e vetingut në mënyrë që të evitohet mundësia për konflikt të interesit.

Si vjen deri te shkarkimi i prokurorëve e gjyqtarëve, nëse evidentohen shkelje?

Në përputhje me instrumentet ndërkombëtare të analizuara në dokument, thuhet se propozimi për shkarkim duhet të vijë vetëm si rezultat i shkeljeve më serioze të detyrës.

“Në gjuhën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, parashihet termi ‘mosrespektim i rëndë i detyrës’.  Është e nevojshme që Ligji për Vetingun të detajojë pikërisht përmbajtjen e këtij termi dhe të listojë shkeljet serioze që do të përbënin këtë shkelje”, theksohet aty.

Po ashtu për zhvillimin e një procesi të mirëfilltë të vetingut, siç thuhet në dokument, nevojitet të bëhen ndryshime kushtetuese për të akomoduar një mori çështjesh. “Amendamentimi i Kushtetutës do të ndjek procedurën e paraparë kushtetuese. Fillimisht, do duhej që në kuadër të dispozitave kushtetuese të parashihet themelimi i mekanizmit që do të zhvillojë procesin e vetingut, i cili si i tillë, do të shuhet me përfundimin e vetingut”, thekson plani i Qeverisë.

Koncept Dokumentin për Zhvillimin e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë.

Sa i përket buxhetit për këtë proces, ai do financohet nga Buxheti i Shtetit, në të cilin pasqyrohen si institucione të veçanta.

Institucionet e rivlerësimit zbatojnë në mënyrë të pavarur buxhetin e tyre, të miratuar nga Kuvendi dhe kanë të drejtë të përdorin të ardhurat dytësore, të përfituara nga projektet ndërkombëtare, donacionet dhe botimet e tyre.

Ndërkaq, një lloj, i vetingut është zhvilluar më parë në Kosovë për gjyqtarët dhe prokurorët.  Kjo ka ndodhur në vitin 2010, ku Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial (KPGJP) si një organ i pavarur i KGJK-së, sipas Kushtetutës, ka pasur mandatin për të vendosur për përshtatshmërinë e të gjithë kandidatëve për emërim të përhershëm si gjyqtarë dhe prokurorë në Kosovë. /Gazeta Enigma.


 

Related Articles