Ende asnjë gjurmë nga “tualeti i artë”, vepra prej 5 milionë dollarësh që u grabit nga ambientet e muzeut “Blenim Palas” në Britaninë e Madhe në vitin 2019.
I quajtur ndryshe “Amerika”, tualeti prej ari 18 karat dyshohet se është shitur në tregun e zi. Siguruesit e veprës ofrojnë shpërblim deri në 100,000 dollarë për këdo që jep informacion për grabitësit.
Drejtori i Kompanisë së Sigurimeve, Philip Austin tha: Askush nuk ka dalë ende për paratë e shpërblimit. Fillimisht kishte shumë kërkime, por tani gjithçka është qetësuar.
Ndërsa policia e “Thames Valley” konfirmoi se shtatë të arrestuarit ishin liruar dhe se hetimet vazhdojnë.
Më herët në 2019, detektivi Charley Hill hodhi dyshimin se tualeti ishte copëtuar dhe më pas ari është shkrirë e shitur në tregun e zi.
Më 14 shtator një bandë hyri në shtëpinë madhështore të shekullit të 18’të dhe shkaktoi “dëme të mëdha e përmbytje” sepse tualeti ishte funksional në ndërtesë.
Vepra është në pronësi të një individi privat dhe ishte pjesë e një ekspozite të artistit konceptual italian Maurizio Cattelan, para se të grabitej.
Në 2016, kur u ekspozua në muzeun Gugenim të New York, vizitorët në të arritën një rekord absolut, rreth 100 mijë persona.