Që nga e enjtja ka filluar një përplasje në rrjete sociale në mes të ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministrit të Bujqësisë, Faton Peci. Gjithçka ka nisur pasi deputeti Hoti ka folur për rritjen e importit të produkteve bujqësore përgjatë vitit 2022.
Ndaj ka reaguar ministri Peci, duke i thënë deputetit Hoti që më mirë është të heshtë atëherë kur nuk di të flasë.
“Kemi instaluar meritokraci, duke promovuar transparencën, luftuam krimin e korrupsionin, demaskuam e denoncuam zhvatës e uzurpatorë e shumë e shumë të tjera. Kaq kësaj here Avdullah. Të tjera herë, edhe fakte të tjera, të natyrave të ndryshme, sa të duash”, ka shkruar ai në Facebook.
Polemikën e ka vazhduar të premten deputeti Hoti, i cili ka thënë se ka rritje enorme të importit të produkteve bujqësore gjatë vitit 2022 dhe rënie të prodhimit vendor.
Teksa ka publikuar disa të dhëna që sipas tij e argumentojnë këtë, Hoti ka akuzuar Qeverinë Kurti për mashtrim dhe dështim.
“Le t’ia sqaroj dikush Ministrit të nderuar këto të dhëna. Në ditët e ardhshme do të publikohen edhe të dhëna të tjera për të demaskuar mashtrimin dhe dështimin e kësaj qeverisje”, ka shkruar mes tjerash deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndërsa, Peci ka vazhduar sërish me reagime duke e quajtur deputetin “Avdullah manipulanti”.
Ai ka thënë se nuk e ka dëgjuar asnjëherë Hotin duke diskuar për sektorin e bujqësisë sa ka qenë Ministër i Financave dhe “Kryeministër jo-legjitim”.
“Duke qenë se ke marrë rol aktiv në përpjekjen dëshpëruese me shifra manipulative (duke ju referuar çmimeve e jo sasisë se importit, në kohen e inflacionit global) më duhet të t’i përmend disa fakte:
Në Ministrinë e Bujqësisë kur ti ke qenë Ministër i Financave dhe Kryeministër jo-legjitim kanë ndodhur këto dukuri:
-Marrje dhe dhënie ryshfeti deri në 120 mijë euro vetëm për një rast të “përkrahjes” financiare;
-Një parcelë e të mbjellave është shfrytëzuar për pagesa me dhjetëra herë;
-Mali është subvencionuar për kinse sipërfaqe të mbjella me grurë;
-Pronat e ministrisë janë marrë e shfrytëzuar si plaçkë lufte;
-Keni marrë vendim për dyfishimin e subvencioneve, pa disponueshmëri të mjeteve duke e futur Ministrinë në 40 milion euro borxhe, e duke shpërndarë vendime dy ditë para fushatës në përpjekjen dëshpëruese për të “blerë” vota nga fermerët;
-Tek përfitimi i granteve ka qenë sekret publik për fermerët e ndershëm se duhet dhënë ryshfet për të përfituar grant nga Ministria;
-Kur ti ke qenë Kryeministër jo-legjitim, MBPZHR kishte një Udhëheqës të Divizionit U.D të Drejtorit dhe I njejti njëkohësisht U.D të Sekretarit dhe në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme keni kontrabanduar në kundërshtim me ligjin një zyrtar që pa asnjë bazë ligjore e keni vendos U.D të AZHB-së.
-Në kohen tënde si Kryeministër jo-legjitim vetëm në një projekt të vetëm në IBK janë vjedhur 1.4 milion euro.
-Në MBPZHR për 9 vite sa ke qenë Ministër i Financave dhe Kryeministër jo-legjitim nuk është aprovuar asnjë ligj”, ka shkruar Peci në postimin e tij në Facebook.
Në fund ka reaguar edhe njëherë Hoti, duke ia përmendur ministrit edhe “Zajednicën”.
“Qenka nxehur z.Peci. I paskan djegur shifrat zyrtare që i kam publikuar në mëngjes. I fortë është në zanatin e tij të sharjeve ndaj kundërshtarëve politik, në veçanti të atyre nga shtëpia e tij e vjetër politike. E vërteta dhemb, por e çliron njeriun”.
“Mashtrimet nuk kalojnë. Mos u ngut. Sharjet nuk t’i kam borxh as unë dhe as partia ime. Me këtë rast, dëshiroj të të pyes: Çfarë po bëni të hënën në Bruksel? A kalon apo nuk kalon…. ZAJEDNICA?!”, ka shkruar deputeti i LDK-së në Facebook.