Këtë të diel Policia e Kosovës ka kryer bastisje nëpër lokacione të ndryshme drejt ndriçimit të rastit pas shpërthimi të fuqishëm te kanali i ujit në Ibër-Lepenc, raporton Gazeta “Enigma”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka njoftuar se bastisjet janë zhvilluar në Varagë të Zubin Potokut.
“Sot kemi pas kontroll të terrenit përgjatë kanalit në Varagë, po ashtu edhe bastisje. Kemi konfiskuar 3 pushkë gjuetie por nuk kemi të ndaluar apo të arrestuar. Kontrolli i terrenit është kryer me njësinë policore K-9 e po ashtu edhe me njësitet tjera policore dhe tashmë ka përfunduar”, tha Elshani.
Kujtojmë se Policia e Kosovës, të shtunën ka arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se gjatë sulmit në Ibër-Lepenc janë përdorur sasi të konsiderueshme e eksplozivit nga 15-20 kilogram. Sipas tij, se në bazë të hetimeve deri tash “kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar”.
Gjatë bastisjeve janë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.
Ndërsa në një bastisje të ndarë në Zveçan, Policia ka konfiskuar sasi të konsiderueshme armatimi, 2 AK47, 3 revole, 1 armë gjuetie, 2 armë rekreative, 6 karikator të AK47, municion e uniforma ushtarake. /Gazeta Enigma/