Është në rritje numri i policëve që kanë dorëzuar dorëheqjen nga policia dhe janë në pritje të vizave për të lëshuar vendin.
Kështu thonë nga Sindikata e Policisë së Kosovës.
“Kemi informacione të pakonfirmuara se shumë zyrtarë policor kanë aplikuar për viza, disa për viza pune e disa për viza turistike dhe pasiqë kjo nuk bëhet publike as nga individët dhe as nga ambasadat, nuk mund ta dimë sa është numri i tyre”, thotë kryetari i sindikatës Imer Zeqiri.
Mendimi i sindikatës është se, shumica e atyre që japin dorëheqje nga policia, janë pagat e ulëta dhe puna e rrezikshme si dhe kërkimi i një jete më të mirë.
“Prej formimit të Policisë së Kosovës, dorëheqje vullnetare kanë dhënë 1108 pjesëtar të Policisë, nuk kemi ndonjë statistikë të saktë për kohët e fundit por vërehet se është në rritje dhe nëse nuk realizohen disa kërkesa apo nuk krijohen kushte më të mira do të kemi vazhdimisht dorëheqje”, tha ai.