Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se një zyrtar policor është suspenduar përkohësisht – 3 ditë, nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në një aheng derisa ishte jashtë detyrës zyrtare.
Sipas IPK-së, rasti ka ndodhur në fshatin Hajkobillë të Komunës së Prishtinës.
“IPK përmes Linjës së Kaltër mbrëmë ka pranuar informacione lidhur me këtë rast me dyshimin se në një aheng në fshatin Hajkobillë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare ka shtënë me armë zjarri në ajër”, thuhet në njoftim.
Kontrolli në këtë lokacion është kryer nga hetuesit e IPK-së së bashku me zyrtarë të Policisë së Kosovës.
“Me urdhër të prokurorit arma e zyrtarit policor është sekuestruar nga hetuesit e IPK-së për ekzaminim të mëtejshëm”, thuhet tutje në njoftim.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe gjyqtari i procedurës paraprake, i cili ka lëshuar urdhrin verbal për të bërë një kontroll në këtë lokacion./Gazeta Enigma/