Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në disa lokacione në Prishtinë, nga ku janë arrestuar disa persona lidhur me ekspozimin e armëve në rrjete sociale, si dhe ka sekuestruar armë dhe municion.
Në nëntë bastisjet që janë kryer janë gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë, një pushkë gjuetie, dy revole dhe si dhe sasi e konsiderueshme municioni.
“Ndërlidhur me rastin, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim apo shfrytëzim të pa autorizuar të armës”, si dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës” ndërkaq të dyshuarit janë proceduar më tej”, thuhet në njoftim.
Policia ka thënë se ky operacion pasqyron përkushtimin dhe përpjekjet e vazhdueshme kundrejt armëve të zjarrit pa leje, për të garantuar sigurinë publike, për respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve.
“Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje publikut të raportojë çdo aktivitet të dyshimtë për të na ndihmuar në misionin tonë për të ruajtur paqen dhe sigurinë”, thuhet tutje.