Policia del me apel në ditën e Vidovdanit: Shmangni provokimet

Policia del me apel në ditën e Vidovdanit: Shmangni provokimet

Serbët do të shënojnë sot festën e Vidovdanit, e cila do të kremtohet në Gazimestan në periferi të Prishtinës.

Policia e Kosovës thotë se ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për ‘Vidovdan”.  

Ajo ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit që të manifestojnë të qetë e të shmangin provokimet.

“Lidhur me manifestimet e “Vidovdan-it”, të cilat pritet të mbahen me 28 qershor 2025, Policia e Kosovës (PK), me kohë ka ndërmarrë masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë me dije se kanë mbajtur takim zyrtar lidhur me planet dhe masat operacionale të planifikuara për Vidovdan.

“Nga menaxhmenti i lartë janë shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që ishin pjesëmarrës në takim”, bëhet e ditur tutje në njoftimin policor.

Tutje, thuhet se nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente.

“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm”, thuhet në apelin që policia i ka drejtuar pjesëmarrësve në këtë manifestim.

Po ashtu, kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në fund të këtij njoftimi të shpërndarë nga Policia e Kosovës.

Related Articles