Policia e Kosovës ka reaguar me një sqarim publik lidhur me disa raportime të publikuara kryesisht në qarqe dhe media serbe.
Sipas Policisë, pa verifikim paraprak janë publikuar shkrime ku pretendohet se disa persona shqiptarë të maskuar kanë vendosur pengesa në rrugë dhe më pas kanë qëlluar me 10 plumba në drejtim të policisë serbe në zonën “Madljika”, siç e quajnë autoritetet serbe Zonën Tokësore të Sigurisë në Serbinë jugore.
Policia e Kosovës thekson se, sipas verifikimeve të saj institucionale, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore duke përdorur format zyrtare të kontrollit, por nuk ka gjetur asnjë dëshmi apo të dhënë zyrtare për ndonjë rast të tillë të evidentuar apo të ndodhur në brezin kufitar të asaj zone,
Tutje, sipas Policisë, lajmi i fundit është i ngjashëm me një raportim të datës 07.02.2026, ku ishte pretenduar se më 05.02.2026, rreth orës 16:00, kishte pasur të shtëna me më shumë se 100 plumba nga armë automatike në drejtim të Policisë së Serbisë në fshatin Parada të Kurshumlisë, në territorin e Serbisë, nga persona të panjohur, të cilët, sipas raportimeve atje, më pas ishin larguar në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës.
Ky fakt, sipas Policisë së Kosovës, shton dyshimet për një orkestrim të qëllimshëm të prodhimit të dezinformatave.
Bëhet fjalë për të njëjtën zonë, përkatësisht fshatin Reqicë në territorin e Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës deklaron se, deri më tani, bazuar në të gjitha burimet e mundshme në dispozicion, nuk ka asnjë konfirmim se një incident i tillë ka ndodhur, as ditën e djeshme dhe as më 05.02.2026. Sipas saj, për të gjitha veprimet është njoftuar edhe KFOR-i.
Policia e Kosovës bashkëpunon ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë, përfshirë bashkëpunimin me KFOR-in, me të cilët kryen edhe patrullime të përbashkëta në brezin kufitar.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit kushtetues dhe njoftimin e qytetarëve e mediave me informacione zyrtare, për të parandaluar dezinformatat dhe publikimet me informata të rreme.
