KFOR-i në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme ka rihapur dy rrugë për lëvizje të qytetarëve në veri, pasi të njëjtat ishin mbyllur nga Policia me synim të ndaljes së kontrabandës.
“KFOR-i mbështet përpjekjet e institucioneve në Kosovë për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të frenuar aktivitetet kriminale në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën Enigma.
Nga KFOR thanë se këta të fundit e mbështesin Policinë e Kosovës për të penguar aktivitetet e kontrabanës dhe trafikimit edhe në veri të Kosovës.
Mes tjerash, në përgjigjen e tyre thuhet se çdo masë sigurie që synon përmirësimin e policisë dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt, sipas tyre duhet të peshohet me nevojat e komuniteteve lokale dhe me lirinë e lëvizjes për banorët vendas.
KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Ndërsa, në raportimin e Komisionit për Siguri, ministry i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se rrugët e mbyllura kanë qenë ilegale dhe se të tilla nuk mund të happen pa marrëveshje dyshtetërore.
“Në atë zonë nuk ka rrugë alternative, ka rrugë ilegale që shteti i Kosovës ka vendosur t’i mbyllë. Mes dy shteteve nuk mund të ketë rrugë alternative pa marrëveshje të saktë mes dy vendeve. krejt çfarë ka bërë Policia e Kosovës është hapja e pengesave që rrugët që janë hapur ilegalisht të pamundësohen që të shfrytëzohen për aktivitete ilegale”, ka thënë ai.
Ministri tutje tha se është në dijeni të veprimit të KFOR-it, dhe se sipas tij po hapet një tjetër gropë, derisa tha se KFOR-i tashmë është duke hapur gropa në një lokacion tjetër në të njëjtën rrugë.
“Për veprimin e KFOR-it që ju e përmendet ne si institucione kemi qenë të njoftuar me kohë. Në të njëjtën kohë, sa për informatën e juaj tashmë është duke u hapur gropa në një lokacion tjetër në të njëjtën rrugë. Do të thotë ka qenë çështje teknike se një pengesë ka qenë këtu e nuk është aty. Kjo po bëhet në vazhdimësi në koordinim me të gjithë akterët”. /Gazeta Enigma/.