Policia e Kosovës me sqarime të detajuara për stacionin në Zubin Potok, demantojnë Listën Serbe

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media lidhur me stacionin e ri të Policisë së Kosovës që ka filluar të ndërtohet në Zubin Potok.

Policia në reagim thekson se misioni i saj është ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurimi i rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim dhe gjithashtu potencojnë se kanë objektivë strategjike për krijimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët.

Në komunikatë thuhet se për të qenë sa më afër qytetarëve, është planifikuar edhe rregullimi i infrastrukturës e cila do të shërbejë për ofrim të shërbimeve sa më të mira për qytetarët.

Për Stacionin Policor në Zubin Potok thonë se është i vendosur në një objekt privat dhe me qira i cili nuk ka plotësuar kushtet për ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe për punën e zyrtarëve dhe kësisoj Policia e Kosovës me kohë ka filluar procedurat për përmirësimin e infrastrukturës, konkretisht ndërtimin e një objekti të ri në Zubin Potok.

 Në reagim kanë dhënë edhe të gjitha detajet për procedurat që janë ndjekur për ndërtimin e  objektit në Zubin Potok, e që kanë filluar kohë më parë. Aty  përfshihen një vendim i datës 5 shkurt 2018 për shpronësim të një prone shoqërore, më pas lëshimi i kushteve ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Zubin Potokut më 3 dhjetor 2020, një varg procedurash të tjera, deri tek pajisja me leje ndërtimore me 23 tetor 2023.

“Lidhur me procedurat e ndërtimit të objektit të SP Zubin Potok, që kanë filluar kohë më parë, janë ndjekur të gjithë hapat e duhur procedural e ligjor si:

• Vendimi përfundimtar i shpronësimit nr. 05/28 , datë 05.02.2018, – pronë shoqërore,

• Lëshimi i kushteve ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit KK Zubin Potok dt. 03.12.2020,

• Më 11.05.2022 – pranimi i njoftimit nga komuna Zubin Potok për plotësim të dokumentacionit për regjistrim të pronës në emër të Policisë së Kosovës, komfor vendimit të Qeverisë si dhe pëlqimi për qasje në rrugë,

• Certifikata e pronësisë P- 72908055-01305-0

• Pas bartjes së pronës në emër të PK-së,  është lëshuar edhe Vendimi për qasje në rrugë dt. 19.08.2022 nr. 112/2022,

• Me datë 23.10.023 PK-ja është pajisur me Leje ndërtimore, për ndërtimin e objektit sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar me datë 10.12.2021 mes PK-së  dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil për projektin”, thuhet në njoftim.

Në fund Policia e Kosovës thekson se Stacioni Policor dhe zyrtarët që do të punojnë në stacionin e ri në Zubin Potok do t’i shërbejnë tërë komunitetit që jeton në atë zonë dhe nuk ka të bëjë me qëllime të tjera siç spekulohet nga individ apo subjekte politike serbe.

Sot Lista Serbe ka dalë me një reagim të mbushur plotë propagandë lidhur me ndërtimin e këtij objekti të ri në shërbim të Policisë së Kosovës, duke e interpretuar si “presion” ndaj serbëve që jetojnë në atë lokacion.

Related Articles