Një person i kërkuar nga policia në Uellsin e Veriut është bërë i famshëm në rrjet për komentet e tij epike në postimin e Facebook të forcës, ku njoftohej shpallja e tij në kërkim.
“Kërkohet. E keni parë Kieran? Kieran, 29 vjeç, me origjinë nga Anglesey, aktualisht është shpallur në kërkim. Ai dihet se ka lidhje në zonat e Caernarfon, Bangor dhe Holyhead. Nëse keni ndonjë informacion për vendndodhjen e tij, kontaktoni policinë përmes faqes sonë të internetit ose duke telefonuar 101”, shkruan policia e Uellsit Verior në Facebook.
Edhe pse në arrati, Kieran duket se ka qenë i vëmendshëm ndaj postimeve të autoriteve, e madje pasi ka vënë re apelin e tyre, ka komentuar duke shkruar: “E dashur policia e Uellsit të veriut. Do të dorëzohem të hënën. E di që më prisni sot, por më duhet t’i rregulloj disa punë të miat”.
“Unë jam mirë dhe i sigurt, nuk kryej krime, nuk paraqes rrezik për publikun, kështu që nuk ka nevojë që oficerët të më kërkojnë. Oh po, unë nuk jam as me origjinë nga Anglesey”, shkroi ai më tej për saktësim, njofton A2CNN.
“I dashur Kieran. Faleminderit që kontaktuat me ne. Kërkojmë falje që menduam se ishe nga Anglesey! Do të vlerësonim nëse mund të paraqiteni tek një oficer apo komisariat sot më 19 korrik. Nuk mund të presim deri të hënën“, ishte përgjiga e tyre.
Por, Kieran në arrati dukej se e ka ndarë mendjen për t’u dorëzuar të hënën dhe iu përgjigj: “Më vjen mirë që i sqaruam keqkuptimet me Anglesey dhe preferoj t’i përmbahem kërkesës origjinale, ndaj do të shihemi të hënën. Nëse jo, thjesht do të duhet të vini të më gjeni”.