Policia gati të jetë pjesë e INTERPOL-it

Policia gati të jetë pjesë e INTERPOL-it

Policia e Kosovës me kapacitete ekzistuese është e gatshme të jetë pjesë e organizatës më të madhe të sigurisë në botë, INTERPOL.

Madje pjesëtarët e Policisë kanë qenë të gatshëm që të ndihmojnë kolegët e tyre nga shtet e tjera në luftimin e krimit ndërkombëtar qysh moti, thotë, ish-drejtori i Rashit Qalaj.

Deputeti i PDK-së thotë se Policia e Kosovës mund të kontribuonte dhe ta ndihmonte këtë mekanizëm në hetimin e shumë rasteve.

“Policia e Kosovës është qysh moti e gatshme e përgatitur të jetë pjesë e INTERPOL-it, dhe mos të harrojmë që nuk është çështja vetëm se do të ketë benifite Kosova nga anëtarësimi në këtë organizatë, mirëpo ka benifite reciproke, meqenëse Policia e Kosovës do të kontribuonte shumë që edhe INTERPOL-i të marrë informacione nga Policia e Kosovës”, u shpreh Qalaj.

Qalaj pohon se vendim për anëtarësim Qeveria duhet ta marrë në konsultim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar.

“Ju e dini që një pjesë ka qenë në pako të marrëveshjes së Uashingtonit që për një vit Kosova mos të tentojë të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare, e kjo ka kaluar dhe tash vendimi është te Qeveria, dhe unë mendoj që Kosova duhet të bëjë përpjekje vazhdimisht që të bëhet pjesë e institucioneve ndërkombëtare, e sidomos kur të kemi të bëjmë me ato të sigurisë. Mirëpo prapë është një vendim që duhet ta marr Qeveria e Kosovës, në konsultim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar”, tha ai.

Përderisa profesori i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku e sheh si dështim të diplomacisë mosantarësimi në këtë organizatë.

Ai thotë se duhet të bëhet më shumë punë në këtë drejtim, që të sigurohen votat e mjaftueshme të shteteve anëtare.

“Mospranimi i Kosovës në INTERPOL në dy rastet e fundit tregojë se strategjia për t’u anëtarësuar në këtë organizatë është më shumë punë e diplomacisë e politikës, sesa e Policisë, që i bie se Kosova ka dështuar në aspektin diplomatik në dy tentimet e para, prandaj ka qenë një vlerësim real që nuk janë parakushtet e mjaftueshme për t’u anëtarësua, sepse paraprakisht është ditur epilogu i këtij tentimi për anëtarësim, që i bie nuk është bërë mjaftueshëm në aspektin e lobimit politik dhe diplomatik”, u shpreh Çollaku.

“…nuk është lehtë sepse bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm të votave për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, dhe sigurisht në një raund tjetër duhet të bëjnë përpjekje maksimale diplomatike për t’i siguruar numrat në mënyrë që të arrihet ajo kuotë e votave të shteteve anëtare për të mundësuar anëtarësimin e një shteti të ri në këtë organizatë, siç është Kosova”, tha ai.

Duke folur për mundësinë që herën tjetër Kosova të jetë pjesë e kësaj organizate, Çollaku thotë se interesi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë është reciprok, teksa shton se luftimi i krimit të organizuar nuk mund të bëhet pa ndihmën e organizatës ndërkombëtare të sigurisë. 

“Interes i përgjithshëm i Kosovës është anëtarësimi në INTERPOL. Policia në kuptimin e ngushtë të fjalës nuk përfiton por shteti i Kosovës, sepse do të jetë anëtar i barabartë i një organizate shumë të rëndësishme në bashkërenditjen e aktiviteteve dhe dakordimeve konform normave juridike ndërkombëtare, mbi parandalimin dhe luftimin e kriminalitetin ndërkombëtar”, shtoi ai.

“…të gjithë e dimë se nuk mund të luftohet sidomos krimi i organizuar i karakterit dhe formatit transnacional pa bashkëpunim me organizata ndërkombëtare të fushës së luftimit të krimit, në këtë rast siç është INTERPOL-i, një organizatë kredibile”, tha Çollaku.

Vitin e kaluar, Kosova kishte nënshkruar moratoriumin njëvjeçar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington që t’i ndalte përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Related Articles