Për shkak të përdorimit të madh të armëve të zjarrit në ahengje familjare, Policia Rajonale e Prishtinës ka dalë me një vendim për kolonat e dasmave, raporton Gazeta Enigma.
Policia e Kosovës pas këtij vendimi do të bëjë kontrollimin e kolonave të dasmave për ta parë nëse mbajnë me vetë armë zjarri pa leje.
Policia e Kosovës ka qenë vigjilente nga fillimi i sezonit të dasmave, duke sekuestruar armë zjarri të cilat janë përdor ilegalisht duke rrezikuar qytetarët.
Në Kosovë marrja e nuses bëhet me dhjetëra vetura, e cila ndryshe quhet kolona e dasmës. Që nga tani kjo kolonë e dasmave do të kontrollohet nga policia për ta parë nëse posedojnë armë zjarri.
Sipas policisë të gjitha këto procedura do të kryhen për të identifikuar përdoruesit e armëve.
“Policia e Rajonit të Prishtinës, konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar dhe ndaj personave të dyshuar në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla”, thuhet në njoftimin e tyre.
Kjo masë vjen për shkak të rritjes së rasteve të përdorimit të armëve në ahengje familjare.
Statistikat bazuar në raportet ditore të Policisë së Kosovës, tregojnë se vetëm nga 1 gushti janë raportuar 34 raste të gjuajtjes me armë zjarri në dasma.
Se duhet ndërmarrë masa nga institucionet e sigurisë po e konsiderojnë të duhur ekspertë të sigurisë.
Në lidhje me këtë dukuri Gazeta Enigma ka kontaktuar me ekspertin e Sigurisë, Drizan Shala, i cili tha se Policia e Kosovës pas gjetjes dhe konfiskimit të shumë armëve pa leje ka dal me këtë vendim.
“Gjetja e armëve nga ana e Policisë së Kosovës po tregon faktin që shumë qytetar po kanë në duart e tyre armë të shkurta të cilat në shumicën e rasteve po janë pa leje”, tha Shala për Enigmën.
Tutje ai ka shtuar se Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës duhet që të rishqyrtoj ligjet në këtë aspekt dhe të sjell ndryshime.
Përveç kësaj Shala ka theksuar se dënimi për ata që iu konfiskohen armët duhet të jetë më i lart dhe të ketë procedura më të rregullta për marrjen e lejes që të mund t’a kemi situatën nën kontroll.
“MPB duhet që të fillojë të ndryshojë ligjin për armë në mënyrë që masa e dënimit të jetë më i rënd, por në anën tjetër rruga për marrjen e lejes së armës dhe kështu të futet nën kontroll kjo dukuri e gjuajtjeve në ahengje familjare”, ka deklaruar Shala për Enigmën.
Kujtojmë se sipas raportit 24 orësh të policisë numri i armëve pa leje që janë konfiskuar nga organet e rendit në 6 mujorin e parë të këtij viti është 700.
/Gazeta Enigma/