Policia konfiskon mallra të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë

Policia konfiskon mallra të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë

Policia e Kosovës, përkatësisht njësitë e Task Forcës–Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, të asistuar nga stacioni për mbikëqyrjen e kufirit – SPMK Muqivercë, në kuadër të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar operacionet policore dhe kontrollet taktike në terren përgjatë brezit kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një postimi në Facebook Policia ka njoftuar se kanë identifikuar kontrabandë me drenjë dekoratië nga Serbia në drejtim të Kosovës.

“Në orët e mbrëmjes së datës 23.06.2025, njësitë policore gjatë veprimeve vëzhguese, kanë identifikuar një traktor me rimorkio të improvizuar, duke hyrë ilegalisht nga fshati Tërrnocë – Bujanoc (R. e Serbisë) në drejtim të fshatit Hodonoc – Kamenicë (R. e Kosovës). Gjatë kontrollit në oborrin e një shtëpie të pabanuar në fshatin Hodonoc, pronë e N. P, është gjetur rimorkioja e improvizuar, e cila sipas të dhënave rezulton të jetë pronë e të dyshuarit L. I, banues në Hodonoc”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia tutje ka njoftuar se këto mallra ishin të destinuara për disa qytetarë brenda territorit të Kosovës.

“Në praninë e të dyshuarit, gjatë kontrollit është konstatuar se rimorkioja ishte e ngarkuar me mallra – konkretisht drunj dekorativë. Mallrat e kontrabanduara ishin të destinuara për qytetarë të ndryshëm brenda territorit të Kosovës dhe ishin të pajisura me etiketa të përgatitura për shpërndarje përmes postës vendore”.

“Sipas të dhënave të siguruara, sasia e mallrave përbëhej nga rreth 220 drunj dekorativë, me një vlerë të përgjithshme rreth 7,000 euro, pa përfshirë shmangiet doganore që rezultojnë nga kontrabanda”, njofton Policia.

“Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, me urdhër të të cilëve rimorkioja së bashku me mallin është sekuestruar dhe është dërguar në terminalin doganor, për procedura të mëtejshme ligjore. Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet kompetente, do të vazhdojë angazhimet e saja në parandalimin e aktiviteteve të ndryshme kriminale”. /Gazeta Enigma/

Related Articles