Policia kufitare ka parandaluar të enjten pasdite dy raste të kontrabandës me kafshë në fshatin Goshicë të Vitisë.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie, ku janë dhënë edhe detaje.
Sipas komunikatës me datë 25.11.2021, rreth orës 17:00, në fshatin Goshicë të Vitisë, në dy raste të ndara, Njësia e Taskë Forcës Rajonale Lindje, sipas planit operativ, dhe veprimeve taktike në teren në funksion të parandalimit dhe zbulimit të kontrabandës në kufi, kanë arritur të ndaloj automjetet kombi, që dyshohej se kanë hyrë në Republikën e Kosovës nga Republika e Maqedonisë-veri.
“Gjatë realizimit të kontrollit të automjeteve zyrtarët kanë zbuluar disa krerë kafshë të cilat dyshohen se janë kontrabanduar. Lidhur me rastet janë njoftuar inspektorët kompetent të AVUK-ut dhe Dogana e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Veprimet e policisë janë koordinuar me prokurorin kompetent për procedura të mëtejme hetimore. /Gazeta “Enigma”/