Policia mbyll katër lokale nate në Ferizaj dhe shqipton 169 gjoba

Policia mbyll katër lokale nate në Ferizaj dhe shqipton 169 gjoba

Pas rritjes së rasteve me COVID-19 në dy javët e fundit në Kosovë, në rajonin e Ferizajt janë shtuar aktivitetet e policisë për të parandaluar përhapjen e virusit.

Gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Ferizajt janë shqiptuar 169 gjoba ndaj qytetarëve që nuk i kanë respektuar masat COVID-19.

Po ashtu janë shqiptuar 50 vërejtje policore dhe janë mbyllur 4 lokale të natës (muzike live), dhe janë bërë 2 asistime Ispektorëve Sanitarë të komunës së Ferizajt dhe 2 asisitime të Shërbimeve Spitalore në Ferizaj.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar përmes një komunikate për media se do të vazhdojnë me aktivitete të tilla edhe në ditët në vijim, në parandalim dhe respektim të masave COVID-19, sipas vendimit të Qeverisës së Republikës së Kosovës .

“Këto masa në masë të madhe po respektohen nga shumica e qytetarëve të cilët edhe i falënderojmë, por janë hasur edhe persona të cilët nuk i kanë përfillur të njëjtat”, thuhet tutje në njoftim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka apeluar tek qytetarët dhe “pronarët e lokalëve, sidomos atyre klubeve të natës dhe ahengjet, që ti respektojnë masat e parapara ligjore me qëllim të ruajtjes së shëndetit të tyre dhe shëndetit publik”.

Gjatë ditës së enjte në Kosovë kanë humbur jetën 18 persona, ndërsa janë regjistruar dy mijë e 295 raste të reja me COVID.

Ndërsa brenda 24 orëve të fundit janë vaksinuar kundër COVID-19, 16 mijë e 862 persona.

Numri i të vaksinuarve me dozën e parë është gjithsejtë 508 mijë e 540 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 256 mijë e 235.

Related Articles