Policia e Kosovës ka sqaruar se në “Vilën e Radoiçiqit”, vila e konfiskuar e terroristit të veriut, e cila ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme policore, nuk është konstatuar asnjë aktivitet i kundërligjshëm, pavarësisht pretendimeve të ngritura nga “individë të caktuar në media”.
Në një komunikatë zyrtare, Policia ka bërë të ditur se objekti është i siguruar 24 orë nga njësitë policore dhe monitorohet vazhdimisht përmes kamerave të sigurisë.
“Policia e Kosovës, sipas detyrës dhe autorizimeve zyrtare, që nga koha e marrjes së objektit në mbikëqyrje për siguri, ka të vendosura njësitë e saja policore të profileve të ndryshme, të cilat kujdesen për sigurinë e objektit dhe hapësirës përreth”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, çdo hyrje dhe dalje në objekt kontrollohet dhe lejohet vetëm për persona të autorizuar.
“Çdo lëvizje apo hyrje-dalje në këtë objekt, monitorohet nga policia dhe hyrja-dalja bëhet vetëm nga personat e autorizuar që u lejohet qasja, siç janë zyrtarët policorë, zyrtarët e mbrojtjes së afërt, zyrtarët institucional dhe vetëm personat që marrin leje të caktuar”, theksohet më tej.
Po ashtu, Policia ka mohuar pretendimet për veprimtari të paligjshme në këtë objekt.
“Në këtë objekt nuk është zhvilluar asnjë aktivitet i kundërligjshëm apo çështje që pretendohet apo deklarohet nga individë të caktuar në media”, thuhet në komunikatë.
Në fund, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të sigurojë objektin dhe të informojë publikun me qëllim të parandalimit të dezinformimit dhe ruajtjes së rendit publik.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë siguri në mbarë vendin, përfshirë në objektin në fjalë në Mitrovicë Veri”, përfundon komunikata.
