Policia ndalon Mercedesin me targa gjermane te “Rrethi i Ismetit”, shoferi kapet me drogë dhe armë

Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Raste të tilla zbulohen pothuajse çdo ditë në të gjitha qytetet në Kosovë.

Një rast i tillë është zbuluar së fundmi te rrethi (i njohur si rrethi Te Ismeti) i rrugës nacionale Prishtine Mitrovicë, ku Policia ka ndaluar një veturë me targa gjermane, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te shoferi i dyshuar, pas kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur një sasi me substancë narkotike, të llojit marihuanë. Përveç drogës, i dyshuari u kap edhe me një mjet të mprehtë (thikë), që e posedonte pa leje.

Qesja me marihuanë dhe provat e tjera janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprat me të cilat ngarkohet.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit për veprat penale “Posedim i paautorizuar substancave narkotike, psikotrope ose analoge” dhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Related Articles