Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm ka ndaluar dy persona nën dyshimin për kryerje të veprave penale, “Fajde,” “Detyrim”, “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “ Fajde në ndihmë”.
Ky aksion ka me urdhër të Prokurorisë dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës – Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizren, të mbështetur edhe nga njësitë dhe stacionet tjera policore në Prizren dhe Prishtinë.
Aksioni është zhvilluar në tri lokacione të ndryshme, ku të pandehurit gjatë aplikimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, janë arrestuar në flagrancë.
“Të njëjtit, dyshohen se kanë vepruar me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete duke kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), viktimën e fajdesë nga i cili shfrytëzojnë gjendjen tejet të rënduar financiare, papërvojën e tij dhe të njëjtit i ofrojnë një shumë të të hollave në formë të borxhit të cilin më pas e ngarkojnë me kamata të larta dhe të pa përballueshme”.
“Njëri nga të pandehurit, gjithashtu përdor forcën dhe kanosjen serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit, për ta detyruar këtë të fundit të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij dhe atë duke e sulmuar fizikisht dhe duke e kanosur me qëllim të realizimit të përfitimit nga kontraktimi i shumës dukshëm jo proporcionale, në atë mënyrë që shkon në shtëpinë e të dëmtuarit, fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas i’a përplasë telefonin për toke dhe e godet me grushta në pjesën e djathtë ballore dhe gjithashtu me mjet të fortë e godet në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Ndryshe, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve. /Gazeta Enigma/.