Policia njofton se ka evakuar dy familje të ngujuara në Bjeshkët e Rugovës

Policia njofton se ka evakuar dy familje të ngujuara në Bjeshkët e Rugovës

Policia e Kosovës njofton se në bashkëpunim me disa qytetarë, kanë evakuar dy familje të ngujuara në fshatin Shtupeq i Vogël në Bjeshkët e Rugovës, të cilat janë bllokuar nga bora.

Për shkak të reshjeve të mëdha të borës, policia ka arritur pas disa orëve në fshatin Shtupeq i Vogël.

“Më datën 12.12.2021, rreth orës 15:00, Stacioni për Mbikëqyrje të Kufirit Vitomiricë/Radavc, DRPK Perëndimi në Gjakovë, kanë pranuar informacionin nga një qytetar se dy familje kanë mbetur të bllokuara nga bora e madhe në fshatin Shtupeq i Vogël në Bjeshkën e Rugovës. Patrulla kufitare, menjëherë është nisur për në lokacionin në fjalë, por për shkak të kushteve shumë të vështira dhe rrugës së bllokuar nga bora, pas disa orëve kanë arritur në fshatin Shtupeq i Vogël për t’iu dhënë ndihmë atyre”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, bëhet e ditur se në mesin e personave të ngujuar ishin edhe dy fëmijë.

“Zyrtarët policorë nga kufiri kanë arritur t’i takojnë dhe t’u ndihmojnë qytetarëve të cilët kanë mbetur të bllokuar në borë, ku në mesin e tyre ishin edhe dy fëmijë. Nga policia është bërë shoqërimi i tyre deri në qytetin e Pejës”, përfundon njoftimi. /Gazeta Enigma/.

Related Articles