Të dielën, Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona, përfshirë këtu edhe dy shtetas të huaj, pasi dyshohet se ata në mënyrë të paligjshme dhe nën kërcënim po i mbanin mbyllur në një banesë 30 emigrantë, transmeton Gazeta “Enigma”.
Sipas njoftimit të Policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe me Sektorin e Forcës Operacionale, zbuluan se në një banesë të përshtatur si hotel, në zonën e Laprakës së Tiranës, po mbaheshin të mbyllur rreth 30 persona, emigrantë të huaj. Ata organizuan dhe finalizuan operacionin “Just in time”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: M. K., 40 vjeç, banues në Tiranë, M. E., 26 vjeç, banues në Tarablos, Libi, dhe Z. D., 27 vjeç, banues në Casablanca, Marok, për veprat penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Në banesën e shtetasit M. K., në katin e parë, të tretë dhe te katërt, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 30 persona të shtetësive të ndryshme, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët mbaheshin në këto dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke ju marrë mjetet e komunikimit dhe duke i kërcënuar familjarët në vendet e origjinës, për kryerjen e pagesës së transportit të këtyre shtetasve, drejt vendit tonë.