Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim sa i përket situatën në veri të Kosovës, ku rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara shkaku i barrikadave të vendosura nga serbët.
Policia ka thënë se bllokimi i rrugëve nga grupe kriminale në veri të vendit, sulmet me armë zjarri e bomba çorientuese (shok bomba) ndaj Policisë së Kosovës, sulmi me shok bomba ndaj gazetarëve e ndaj patrullës vëzhguese të EULEX-it, ka tensionuar situatën në veri të vendit dhe ka pamundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave në dy pikë kalimet kufitare, Jarinje dhe Bërnjak.
“Fatmirësisht nga këto sulme nuk është evidentuar ndonjë lëndim ndaj qytetarëve apo personave zyrtar. Përderisa edhe sot vazhdojnë bllokimet e rrugëve në drejtim të dy pikë kalimeve Kufitare Jarinje dhe Bërnjak, Policia e Kosovës siç e ka bërë të ditur si masë paraprake të sigurisë ka mbyllur përkohësisht për qarkullim këto dy pika kufitare, të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe sot”, thuhet në njoftim.