Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim duke demantuar raportimet se një nga dy rusët e shpallur non grata së fundmi është parë në Kosovë.
Sipas Policisë, të dy shtetasit rusë kanë lëshuar territorin e Kosovës më 23 tetor dhe se personi tjetër i cili është parë në vend, e për të cilin u raportua se është shtetasi rus i shpallur non grata, është tjetër kush.
“Dy personat Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii shtetas rus, janë shpallur non-grata nga institucionet shtetërore të Kosovës me datë 22.10.2021, dhe bazuar në informacionet zyrtare të Policisë së Kosovës të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës. Vlen të potencohet se të njëjtit, nga data 23.10.2021, nuk kanë hyrë në Republikën e Kosovës, ndërsa personi i cili është publikuar dhe shfaqur në media përmes fotografive dhe videos, është person tjetër (V.L.) i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi më 22 tetor se dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës ruse në Kosovë janë shpallur persona non grata. Osmani pati deklaruar se kjo është bërë për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, “i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës”. /Gazeta “Enigma”/