Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Megjithatë, ajo ka theksuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një urgjencë.
Power, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, nënvizoi rëndësinë që palët në dialog të shkëmbejnë idetë për Asociacionin në mënyrë që të arrihet kompromisi.
“Është e qartë se krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një hap absolutisht kritik që duhet të ndërmerret, për të siguruar që normalizimi të mund të vazhdojë. Dhe sigurisht kjo është diçka që zyrtarët në Serbi e ngritën dhe e konsiderojnë shumë të rëndësishme, ashtu si edhe njerëzit në këtu. Kështu që unë mendoj se për ne është më pak se a jemi optimistë e gjëra të tilla, dhe më shumë për angazhimin e të gjitha palëve të shohin se cilat do të jenë përfitimet, nëse mund të ndërmerren këto hapa të vështirë”.
“Përsëri, marrëveshja është aty, ka urgjencë, për shembull, për të krijuar Asociacionin. Dhe, ne shpresojmë që tani që më në fund ka ndodhur dialogu për atë se si mund të duket, edhe nëse palët ende nuk janë dakorduar për një vizion, se cilat do të jenë modalitetet, madje kjo është hera e parë që ka ndodhur ky lloj angazhimi përmbajtësor. Është e rëndësishme që idetë të shkëmbehen dhe të arrihet kompromisi, në mënyrë që normalizimi të mund të vazhdojë që do të rezultojë përfundimisht, me njohjen reciproke”, tha ajo.
Krahas kësaj, shefja e USAID-it, tha se nënshkrimi i Deklaratës për të zhdukurit më 2 maj në Bruksel, është shumë e rëndësishme dhe se duhet të zbatohet konkretisht.
“Është e qartë se vendime shumë të rëndësishme duhet të merren ende, por ju e dini për shembull, marrëveshja që tashmë është arritur për personat e zhdukur, ju keni më shumë se 1600 njerëz, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur, dhe familjet e të cilëve janë ende në zi për ta, duke mos ditur se çfarë u ndodhi atyre. Edhe kjo marrëveshje, mendoj se është vetëm një hap dhe sigurisht që duhet të zbatohet, është një marrëveshje e rëndësishme dhe nuk është diçka që kishte ndodhur më parë”, shtoi ajo.
Këto komente Power i bëri të enjten në Gjilan, pas vizitës në kompaninë “Frutomania”, ku takoi edhe fermer të vegjël në këtë zonë.
Power thekoi se misioni i USAID-it është të ndihmojë sipërmarrësit dhe njerëzit e Kosovës për t’i zgjeruar mundësitë ekonomike.
“USAID-i për vite me radhë, në emër të popullit amerikan, ka investuar në pajisje, pajisje ftohjeje, ka ndihmuar në krijimin e lidhjeve mes bizneseve, jo vetëm këtu, por ndërmjet prodhuesve dhe kultivuesve, dhe përpunuesve këtu në Kosovë, me tregje jashtë kësaj zone. Ne kemi dhënë grante, veçanërisht për biznesmenet femra, me të cilat pata rastin të takohem edhe me disa prej tyre. Dhe misioni ynë si USAID është të ndihmojmë sipërmarrësit e Kosovës dhe njerëzit e Kosovës, të zgjerojmë mundësitë ekonomike dhe të vazhdojmë të ndihmojmë në nxitjen e rritjes ekonomike që ne e dimë se është kaq jetike, veçanërisht për të rinjtë në këtë vend”, tha ajo.
Gjatë ditës Power do ta takojë edhe ndërmarrësit e rinj në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK). Kurse nesër do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti.