Java e 20-të e Premier League vazhdon edhe të mërkurën, me dy ndeshje.
E marta dhuroi befasi, me Leicester City-n që arriti fitore minimale përballë Liverpool-it duke i bërë një favor të madh Manchester City-t.
Këta të fundit, do të kërkojnë që të shfrytëzojnë në maksimum rezultatin pozitiv të Leicester-it.
Manchester City është të mërkurën mbrëma mysafire e Brentford, me fillim në orën 21:15
Derisa vendasit kanë fituar vetëm dy nga pesë ndeshjet e fundit, Manchester City ka fituar të gjitha, por jo vetëm – ata kanë nëntë fitore me radhë në Premier League.
Në letër, të përzgjedhurit e Guardiola-s nuk kanë punë të vështirë, por elita e futbollit anglez gjithmonë ka ditur të dhurojë befasi.
Përveç Manchester City-t, në fushë zbret edhe Chelsea.
Blutë e Londrës nisin ndeshjen e tyre 45 minuta më herët, me fillim në orën 20:30 – para publikut vendas në “Stamford Bridge”.
Kundërshtar i tyre do të jetë Brighton, që po zhvillon një sezon shumë pozitiv.
Edhe skuadra e drejtuar nga Tuchel kërkon të përfitoj nga gabimi i Liverpool-it, duke u ngjitur në vendin e dytë dhe duke mbajtur City-n nën presion.
Brighton në anën tjetër, me një fitore, mund të ngjitet në vendin e tetë në tabelë, duke u afruar shumë me zonën Evropiane.
Këto dy takime mbyllin ditën e mërkurë, derisa Premier League e mbyll vitin të enjten./Gazeta “Enigma”/