Presidenca: Të gjitha partitë konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin me Osmanin të enjten

Presidenca: Të gjitha partitë konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin me Osmanin të enjten

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të fillojë më 15 maj një seri konsultimesh me partitë politike në përpjekje për të zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Lajmin për Gazetën Enigma e ka konfirmuar këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina, i cili tha se ftesat tashmë janë dërguar dhe të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes.

Konsultimet vijnë pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit më 11 maj, që ishte përpjekja e katërmbëdhjetë pa sukses nga deputetët e sapozgjedhur.

Ngërçi institucional lidhet me postin e kryetarit të Kuvendit, për të cilin Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun.

Megjithatë, ky propozim nuk ka marrë përkrahjen e partive të tjera, të cilat refuzojnë ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë.

Deri më tani, asnjëherë nuk janë siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e saj.

Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje ka bërë të qartë se nuk do të propozojë kandidat tjetër për kryeparlamentar, duke e mbajtur të pandryshuar qëndrimin e saj.

Ditë më parë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi që votimi për kryetarin e Kuvendit të bëhet përmes votës së fshehtë, në përpjekje për të thyer bllokadën politike.

Por edhe kjo nismë nuk siguroi përkrahjen e nevojshme në seancat e kaluara, duke e lënë procesin në ngërç.

Related Articles