Presidenti i federatës spanjolle tregon se a do të luhet ‘El Clasico’ apo jo

Presidenti i federatës spanjolle tregon se a do të luhet ‘El Clasico’ apo jo

Rafael Louzan, presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) ka konfirmuar nëse do të luhet finalja e Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Real Madridit apo jo. 

Gjithçka dukej në rrugë të mbarë dhe po bëheshin përgatitjet e fundit para finales së madhe të Kupës së Mbretit mes dy gjigantëve spanjollë, para se një deklaratë e gjyqtarit të ndeshjes të shkaktojë polemika të mëdha. 

Ricardo De Burgos Bengoetxea të cilit i është besuar kjo ndeshje për të ndarë drejtësinë, u ankua sot (e premte) gjatë një konference për shtyp për pasojat që ka në jetën e tij publikimi i përmbajtjeve nga Real Madrid TV. 

Njësoj veproi edhe kolegui i tij Pablo Gonzalez Fuertes i cili ishte caktuar si përgjegjës në dhomën e VAR-it, duke thënë se ‘do të bëjnë histori me masat që do të ndërmarrin’. 

Kjo nuk i ka pëlqyer aspak Real Madridit, të cilët kanë kërkuar nga Federata të ndryshojnë trupën e arbitrave për këtë sfidë. 

Sipas raportimeve nga Spanja, përgjigja që mori Real Madridi ndaj kësaj kërkese ishte negative, pasi organet e larta të futbollit spanjoll kanë refuzuar të ndryshojnë gjyqtarët. 

Mediumi spanjoll El Chiringuito veproi shpejt për të kontaktuar presidentin e RFEF, Rafael Louzan, i cili ndonëse me nxitim konfirmoi se finalja do të luhet sipas orarit. 

“A do të luhet finalja? Po. Ne do të shijojmë këtë ndeshje të madhe nesër”, ka thënë shkurtimisht Louzan.

Related Articles